EPOPEJA E UÇK-SË
5, 6 dhe 7 marsi 1998, janë cilësuar si:
Beteja që përcaktoj të ardhmen e shqiptarëve.
Beteja që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve.
Beteja që frymëzon çdo atdhetar.
Epopeja e UÇK-së.
Diku pas orës 3, pas mesnate, të datës 5 mars 1998, forca të shumta terroriste të policisë dhe të ushtrisë serbe me mjete të blinduara kanë shpërthyer rrethojën e Fabrikës së Municionit të Gjuetisë në Skënderaj dhe janë vërsulur në shtëpitë e familjes Jasharaj. Këto mjete të blinduara, të përcjella me policë dhe ushtarë serbë, kanë hyrë në trojet e kësaj familjeje me drita të fikura, duke shtënë dhe qëlluar mbi gjithçka. Diçka më vonë, forca tjera policore të pajisura, me pizgaverë, tanke, topa të kalibrave të ndryshëm kundër-ajrorë, kanë shkuar në drejtim të Palacit, ku janë pozicionuar. Ndërkohë kanë arritur edhe forca të mëdha nga drejtimi i Gllogofcit (Drenasit), që supozohet të kenë qenë mbi 60 mjete të blinduara dhe makina tjera të ushtrisë dhe policisë serbe.
Kështu, prej orëve të hershme të mëngjesit e deri në orë të vona të mbrëmjes ishin dëgjuar të shtëna kryesisht nga armë të rënda artilerike, kurse lagjja Jasharaj që në fillim ishte djegur në flakë. Shtëpitë e tyre u rrënuan përtokë. Meqë ishte vënë një rreth i hekurt, nuk ka pasur mundësi as të hyhej as të dilej prej atij shtetrrethimi. Pos lagjes së Jasharëve, njësitë terroriste policore-ushtarake të Serbisë kanë vazhduar të shtinë edhe mbi lagjet Lushtaku dhe Ferizi të Prekazit.
Dëshmitarët kanë pohuar se 12-13 autoblinda ishin stacionuar në vendin ndërmjet Mikushnicës dhe Prekazit. Policia dhe ushtria serbe i përdorte tanket për t'i shkelur këto lagje e shtëpi në fshatin Mikushnicë, që ka nja 100 shtëpi, ku të gjithë banorët ishin larguar. Në malet e Krasaliqit, Prellofcit, Kozhicës e Gradicës qenë vendosur familjet e evakuara të Mikushnicës, por edhe të fshatrave Prekaz e Palac, ato familje që kanë pasur mundësi të largohen.
Vetëm ata njerëz që u gjendën brenda shtetrrethimit e dinë tmerrin e asaj dite që manifestohej me gjëmime, goditje, rrënime dhe flakë.
Pos rrethit të parë që përfshinte Palacin e Prekazin, ekzistonte edhe rrethi i dytë i shtetrrethimit, i bërë nga forcat terroriste të policisë dhe të ushtrisë serbe, që nga Shipoli, Tërrnafci, dy Klinat, Llausha, Rezalla, Kryshefci dhe Polluzhë e vazhdonte pastaj deri në Açarevë, Kopiliq e Vojnik. Flitej se në Prekaz kishin hyrë këmbësoria nëpër familje duke masakruar njerëz që kishin mbetur nëpër shtëpi. Qytetarë të shumtë ishin evakuar edhe nga Galica.
Në ditën e parë të sulmit mbi familjen Jashari, filloi një betejë e fuqishme kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. E gjithë familja e Adem Jasharit filloi luftimet pas asnjë kompromis e përgatitur për të bërë rezistencë deri në vdekje. Sipas rrëfimit të Besarta Jasharit, dëshmitare e kësaj Epopeje, “ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. Atë ditë, u vra vetëm Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat e mbushura me armatim.
Tërë dita shkoi me gjuajtje të fuqishme të forcave serbe, ndërsa në mbrëmje të shtënat u qetësuan. Në mbrëmje, Adem Jashari së bashku me djemtë, Blerimi, Kushtrimi dhe Igaballi i mbushnin karikatorët dhe bëheshin gati për luftën e ditës tjetër. Ata e vëzhgonin dhe e përcillnin me shumë kujdes situatën”.[1]
Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars 1998, luftimet sipas rrëfimit të Besartës filluan kështu, “Që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat. Granatimet vazhduan të jenë edhe më të fuqishme ndërsa nga copat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ademi e Hamza së bashku me djemtë e familjes rezistonin në pozicionet e tyre. Më tragjikja ka qenë një granatë e cila i ra podrumit dhe e çau atë në dy pjesë, duke e shkatërruar atë. Ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve tjerë të familjes tonë. Nga kjo granatë dhe disa të tjera që u hodhën rresht, nga plagët e marra vdiqën edhe Hidajetja, vajza e Rifatit dhe motra ime Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Të gjallë ende ishin Besimi, Kushtrimi dhe Adem, që luftonin nga një pozicion në tjetrin”.[2] Nga kjo mund të kuptohet se beteja vetëm sa po përshkallëzohej edhe më shumë, edhe përkundër dëmeve që po shkaktoheshin dita ditës.
Në ditën e tretë të sulmit, me 7 mars 1998, që konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së, nga Besarta përshkruhen edhe momentet e fundit dhe kryesore për luftimet në shtëpinë e Jasharajve, “Ademi lëvizte prej pozitës që kishte te një mur në oborr dhe vinte kah vendi ku ishim ne të strehuar. Pas vrasjes së shumicës së anëtarëve të familjes, vritet edhe Besimi. Afër derës së podrumit ku ishim strehuar bie edhe Ademi, në përpjekja për të na mbrojtur. Të gjallë ishim edhe vetëm unë dhe Kushtrimi.
E kam pa Ademin kur e ka marrë plumbi, ka rënë te shtylla afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra. Pas rënies së tij, djali i tij Kushtrimi (atëherë 13 vjeçar), e mori automatikun dhe u nis në drejtim të një pozicioni tjetër në oborr, sepse policët serbë veç ishin futur nëpër disa depo që i kishim. Në ballafaqim me ta, Kushtrimi ka rënë midis dy shtëpive me automatikë në dorë. Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, vet fillova të shkojë te trupat e secilit duke i prekur dhe duke thirrur me zë mos kishte mbetur dikush i gjallë. I thirrja në emër, por s'përgjigjej askush. Krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, në ditën e tretë të sulmit, paradite”.[3]
Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit 20 anëtarë, 10 prej të cilëve fëmijë.
Prandaj, fenomeni i Adem Jasharit, nuk do të kishte këtë përmasë sikur nuk do të përplotësohej me mishërimin e familjes së tij, sikur mos të ishte pjesë e Prekazit heroik, sikur mos të kishte një ditëlindje në një ditë të rëndësishme shqiptare, sikur mos të përqafonte flijimin si në ditën e lindjes. Andaj figura e Adem Jasharit bashkë me ngjarjet e pesë, gjashtë dhe shtatë marsit përbëjnë tërësinë e sfidave që për kohën ishin ndryshim epoke, ndryshim jete etj.
Të rrallë dhe të papërsëritshëm janë këto figura dhe jo rastësisht Adem Jashari në një moment thotë “Armët nuk i kemi marrë që t´ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit”. Kjo i ngjan Anteut, Akilit për të luftuar të keqën deri në vetëflijim. Më kuptimplotë, pesë, gjashtë dhe shtatë marsin dhe Adem Jasharin e bënë edhe krijimi i një filozofie të re në mendësinë shqiptarëve, për jetën dhe perspektivën e tyre. Në këtë rrafsh filozofia e veprimit në këtë ngjarje derivon në mënyrë koncensuale aspektet praktike të krijimit të shtetit dhe të jetës së lirë.
Beteja e pesë, gjashtë dhe shtatë marsit në Prekaz, nga distanca kohore dhe aspekti historik e shkencor merr këto portretizime:
Mbyll një kaptinë të dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës, dhe fillon një etapë e re;
Kthen dinjitetin pothuajse të përbuzur;
Qartëson më shumë se kurrë pozicionin e shqiptarëve në raport me Serbinë;
Krijon rrethana politike e diplomatike më të favorshme për Kosovën në Ballkan, Evropë dhe Amerikë;
Ruan koherencën në veprime duke i përshtatur rrethanave në Kosovë; dhe në fund;
Shënon ngjarjen më të rëndësishme historike të shekullit XX, fundin e regjimit të Serbisë.
Nga kjo sintagmë që është më shumë se një refren, ne do të ecim duke portretizuar figurën e Jasharajve që është emblematike dhe figurë gjenerale e historisë kombëtare shqiptare. Nga ky refleksion Jasharajt paraqesin në mënyrë emblematike historinë më të re të Kosovës, paraqesin mendjen, artin e luftës dhe të ardhmen e ndritshme të Republikës së Kosovës.
[1] Bardh Hamzaj, Faik Hoti, Jasharët, histori e rrëfyer nga Rifat, Besarta, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari, Prishtinë, 2003, f. 91-92.
[2] Bardh Hamzaj, Faik Hoti, Jasharët..., f. 92-93.
[3] Bardh Hamzaj, Faik Hoti, Jasharët..., f. 93-94.
No comments:
Post a Comment